Skip to content

9 Mësime që Mora Gjatë Javës së Peticionit

java e peticionit protesta regjistri publik i perdhunuesve

Peticioni për regjistrin u publikua të mërkurën e kaluar. Këtë javë kam mësuar/kuptuar/rikujtuar shumë gjëra.⁣

Siç mund të keni lexuar apo parë, ne kemi krijuar një peticion për krijimin e një regjistri publik për abuzuesit seksualë, përdhunuesit e pedofilët. Mund të lexosh më shumë këtu.

Na duhen 20000 firma. Po kemi mbledhur 29000 brenda 48 orësh dhe tani kemi kaluar 41000 firma, por mungesa e një sistemi ligjor për verifikimin e firmave online nënkuptonte se i vetmi drejtim për 41000+ firmat ishte te Këshilli i Ministrave, e më pas mbetej në dorë të tyre. Ndërsa 20000 firma qytetarësh me të drejtë vote? Kuvendi duhet ta shqyrtojë.

Gjatë këtyre 7 ditëve kam kuptuar shumë gjëra.

Disa prej tyre po i ndaj me ju më poshtë:

Ndihma

Sasia e njerëzve që janë të gatshëm të të ndihmojnë dhe mbështesin është shumë, shumë më e madhe nga ç’mendon,
o Delfinaaa.

Privacia

Disa persona janë më të shqetësuar për privacinë e pedofilave sesa për jetën e fëmijëve apo viktimave të tjera.

State of denial

Njerëzve i pëlqen të mendojnë se përdhunimi është një incident i izoluar, i cili mund të shmanget nëse kujdesesh mjaftueshëm.

Duke parë prindër që nuk ndalojnë për të dëgjuar rreth peticionit, teksa mbajnë përdore fëmijën e tyre, kuptova se shumë familje mendojnë se nëse e mbrojnë dhe informojnë mjaftueshëm fëmijën, ai/ajo nuk do abuzohet kurrë seksualisht. 

Fatkeqësisht në një shoqëri të tillë. është thjesht çështje kohe. Çdo vajzë apo grua ka dhjetëra histori traumatike, por sërish mendojmë se nëse mbrohemi mjaftueshëm, s’do na ndodhë gjë.

Seksi dhe turpi

Ndaj personit që tha “Po ikni që këtu se latë nam me kto pislliqe”, fjala “seksuale” që ndodhet në pankartën tonë nuk është turp. Seksi nuk është turp. 

Çfarë është turp është pranimi dhe normalizimi që ne i bëjmë abuzimit. Turp është konsiderimi i drejtësisë pisllëk. 

Turp është zgjedhja jonë për të kthyer kokën nga ana tjetër.

Zgjidhje dhe zgjedhje

Më përpara mendoja se kishte shumë njerëz që donin ndryshim, por thjesht nuk dinin çfarë të bënin.

Kuptova që ka shumë njerëz e shumë gra që duan ndryshim, por jo mjaftueshëm sa të shpenzojnë 30 sekonda për të firmosur për krijimin e një mase konkrete kundër përdhunimeve.

Të thuash “nuk dua të merrem me këtë tani” është një sens i perceptuar privilegji, por i gabuar gjithsesi.

Fuqia e gjithsecilit

Please mos lejoni askënd t’ju thotë se një njeri i vetëm nuk bën dot diferencën. E bën që çke me të!

Duke parë fletën bosh të peticionit, pasi 40 firmat e para që një fletë mban i kishim marrë dhe nisëm tjetrën, dikush dje tha me përbuzje “Pranvera me një lule s’vjen. As me 5 firma nuk bëhet gjë.”

Kemi marrë 40000 i thashë, por edhe sikur mos të ishte ashtu?! Ndryshimi duhet të fillojë nga ne.

Skepticizmi

Shumë njerëz janë tejet protektivë rreth shkrimit të emrit, firmës dhe numrit të tyre personal në letër. Nuk i vë faj.

For what it’s worth, dua t’ju siguroj që informacionet tuaja nuk do përdoren në asnjë mënyrë që nuk lidhet me peticionin.

20000 firmat do paraqiten në Kuvend dhe rrugëtimi i tyre do mbarojë aty. I can promise you that.

Shpresë dhe forcë

Kaq shumë njerëz kanë sakrifikuar kohën dhe energjitë e tyre për këtë peticion. Siç thashë në artikullin e kaluar:

Besoj së shpejti do mundem të procesoj këtë javë, me të gjitha narrativat, detajet, bisedat, momentet Eureka, historitë, pyetjet që e kanë përbërë.

Ndërkohë unë do pluskoj gjatë në këtë renë e mbushur me shpresën, pozitivitetin, forcën, humorin, inteligjencën emocionale, kurajon, që shumë prej jush më kanë përcjellë këto 7 ditë.

Pizza

Ka njerëz që hanë përditë picë te Laguna. Respekte.

Add a comment...

Your email address will not be published. Required fields are marked *