peticioni protesta regjistri publik i perdhunuesve

TRIGGER WARNING: abuzim seksual, pedofili, përdhunim

Hey. Ti ndoshta nuk e di, por unë i kam premtuar njerëzisë që do shkruaj dhe publikoj diçka këtu çdo të Dielë. Mund të lexosh më shumë për këtë këtu. Më e rëndësishmja, ja kam premtuar vetes. Ndaj, ja ku jam, duke publikuar diçka, gjysëm për hir të publikimit, gjysëm për hir të faktit se besoj se çfarë kam ndër mend duhet të jetë diku, në një vend që më përket mua plotësisht.

Java në fakt nuk ka mbaruar akoma, edhe pse kalendarisht po. Prej momentit të parë që u nis biseda e krijimit të peticionit, e deri më sot nuk është bërë ende një javë, edhe pse mua nuk më duket aspak ashtu.

Duke marrë parasysh se shumica juaj, përderisa po e lexoni në shqip, mund ta dini disi për çfarë bëhet fjalë, po përpiqem të bëj një përmbledhje të ngjarjeve. Për ata që besojnë, për skeptikët, për romantikët e për çdo gjë “in between”.

Si u krijua peticioni?

Nisur nga përdhunimi barbar i vajzës 15-vjeçare për 4 vite nga roja 65-vjeçar i shkollës së saj, mikesha ime Paola ndau në Instagram një mendim. A nuk do zgjidhte shumë punë të pasurit e një regjistri publik të emrave të abuzuesve seksualë, përdhunuesve dhe pedofilëve?

peticioni protesta regjistri publik i perdhunuesve
Lexo postimin duke klikuar foton

Unë me siguri i dërgova ndonjë reaction me emoji me zjarr apo diçka ashtu. “Do më ndihmosh ta shkruajmë?”, tha ajo.

Në minutat e fundit të ditës së punës, mblodha ca fjali, statistika e ndjenja së bashku, ja dërgova me email Paolës dhe kështu lindi peticioni online për krijimin e regjistrit.

Nëse fjala “fëmijëri” ju sjell ndërmend fëmijë të qeshur që luajnë e vrapojnë me njëri-tjetrin, fatkeqësisht për shumë fëmijë shqiptarë realiteti është shumë më ndryshe.

Qindra fëmijë, në mes të Tiranës e deri në skajet më të largëta të Shqipërisë, dhunohen seksualisht dhe i rrëmbehet fëmijëria, duke i shkaktuar trauma dhe probleme psikologjike të rënda.

Përveç kësaj, mijëra vajza e gra, por edhe djem dhe burra, dhunohen seksualisht, abuzohen e përdhunohen.

Zgjidhja nis nga vetë ne duke i dënuar sjelljet abuzive që në gjenezë, por a nuk do ishte mirë t’i jepnim një shtysë drejtësisë dhe shtetit tonë që has kaq vështirësi të dënojë abuzuesit e përdhunuesit?

Në shumë shtete të botës listat e personave që kanë abuzuar seksualisht apo kanë përdhunuar të tjerë janë në dizpozicion të çdo qytetari.

Duke treguar publikisht identitetin e përdhunuesve, ne nuk mund të kthejmë kohën prapa dhe të shpëtojmë viktimat e tyre nga kthetrat e abuzuesve.

Ajo që mund të bëjmë është t’i ofrojmë të miturve, adoleshënteve, të rriturve, prindërve të fëmijeve, dhe çdo personi të çdo moshe, gjinie e demografie, një shans për një jetë më të sigurtë.

Fatkeqësisht, deri në momentin që rastet e abuzimit seksual denoncohen ose bëhen publike, është tepër vonë. Abuzuesit shpesh herë kanë histori abuzimi të njohur nga bashkëqytetarët e tjerë. Regjistri publik, mund të parandalojë rastet e përsëritura, dhe mund të krijojë një mjedis më miqësor për viktimat dhe të inkurajojë denoncimet në kohë.

Ne besojmë që njerëzit kanë të drejtë të dinë nëse në zonën e tyre ka persona të cilët përbëjnë rrezik për ta dhe të afërmit e tyre. Siguria e fëmijëve të pafajshëm apo njerëzve të tjerë, është me e rëndësishme se e drejta e abuzuesve për privatësi.

Ne propozojmë që lista vendore e emrave të regjistruar si abuzues seksualë të koordinohet nga organet kompetente si Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë dhe të lejojë çdo qytetar të kërkojë të dhënat e dhunimit bazuar në identitetin dhe vendndodhjen e çdokujt.

Publikimi i listës është praktikë e njohur ndërkombëtare. Le t’i minimizojmë si shoqëri këto fenomene të ndyra; të sigurohemi që asnjë abuzues nuk do kërcënojë më një viktimë; t’i japim një mundësi gjeneratës së re për një të ardhme pa dhunime dhe pa frikë.

Firmosni peticionin nëse dëshironi dhe ju një listë publike të emrave të personave që kanë guxuar të dhunojnë seksualisht.

Mund ta gjeni këtu. Me siguri e keni hasur. Peticioni u shpërnda si zjarr në një ditë me shumë erë. Ose një metaforë e ngjashme.

Në më pak se 48 orë, peticioni arriti 29000 firma.

peticioni protesta regjistri publik i perdhunuesve
Lexo publikimin duke klikuar foton

Pjesa ligjore

Këto 48 orë kanë qenë të pabesueshme e janë vijuar nga orë edhe më të flakta e të pabesueshme.

Media si Anabel, Iconstyle.al, Euronews e Exit.al, kanë shkruar rreth peticionit dhe e kanë mbështetur.

Pas shpërndarjes masive të peticionit, u asistuam nga aspekti ligjor nga persona të mrekullueshëm. Kishte shumë pyetje të cilave ne nuk mund t’i jepnim përgjigje, por me ndihmën e tyre, arritëm më së miri. Gjithashtu, na ndihmuan me shpjegimin e koncepteve ligjore, rëndësinë e disa aspekteve të caktuara, na shpjeguan gjasat që kjo të ndodhë vërtet (janë të larta).

Faleminderit Majdalenës, Havës, Edlirës.

Mbledhja e firmave fizike

Në protestën emocionuese të 4 Qershorit, për fëmijërinë e vjedhur, mblodhëm firma nga të katra anët, si për 4 Qershor. Fatkeqësisht burimet njerëzore ishin të limituara, çka nuk na lejoi të ishim te çdo person që dëshironte të fimoste.

Më pas u mobilizuam duke krijuar pika të mbledhjeve të pikave në:

  • Tiranë,
  • Shkodër,
  • Durrës,
  • Vlorë,
  • Sarandë,
  • Lushnje,
  • Burrel,
  • Kuçovë,
  • Sarandë,
  • Elbasan,
  • Lezhë,
  • Gramsh, etj.

But why stop there, right?!

Po mbledhim firma edhe në:

  • Zvicër,
  • Austri,
  • Francë,
  • Itali.
  • Po mbledhim firma në mënyrë publike, në mënyrë private, në pallate, zyra, parqe, dyqane, kudo.

Një tjetër lajm i miiiirë

Meqë të shtunën kisha kohë të lirë pasi nuk punoj, ndenja thuajse gjithë ditën duke mbledhur firma. Në mëngjes, meqë arrita herët dhe kisha mundësi të pija një kafeçkë të shpejtë kur i thonë, fola me një person që mu prezantua si përfaqësuesja e BigMarket. Për një periudhë kohe të konsiderueshme, – epo… orësh, subjektet time-sensitive këtë kanë, orët janë ditë, – nuk më besohej çfarë kisha dëgjuar. Pas një konsultimi me juristen “tonë”, it was official. BigMarket i bashkohej nismës, çdokush mundej të firmoste, në çdo pikë, në çdo qytet.

Kjo është një mrekulli.

Besojmë se kjo iniciativë e Big Market do na ndihmojë jashtë mase ta bëjmë realitet krijimin e regjistrit publik.

Reflektime

Nuk mund të filloj të shpjegoj çfarë kjo nismë sinjifikon për viktimat e abuzimit seksual në jetën tuaj, të cilët, më besoni, janë në numër shumë më të lartë nga ç’mund të pandehni.

Tani, ky është përshkrimi më i shkurtër e i lodhur që mendja ime mund të prodhonte në këto momente, por nuk doja të rrija pa shkruar apo pa ndarë diçka, sado jo-kryevepër të ishte.

Besoj që së shpejti ky tregim dëftues do pasurohet me narrativa, detaje, biseda, momente Eureka, histori, pyetje. Ndërkohë unë do pluskoj gjatë në këtë renë e mbushur me shpresën, pozitivitetin, kurajon, forcën, humorin, inteligjencën emocionale, që secili prej jush më ka përcjellë këto ditë.

Leave a Reply